Rusia teston internetin e saj, ekspertët ngrisin dyshime

Rusia teston internetin e saj, ekspertët ngrisin dyshime

Rusia ka testuar “me sukses” internetin e saj të pavarur nga pjesa tjetër e botës.

Qeveria synon që interneti i quajtur Runet, të jetë një alternativë e vendit për internetin global.

Ministria e Komunikimeve nuk bëri të ditura më shumë detaje, por, sipas saj, përdoruesit e zakonshëm nuk vunë re ndonjë ndryshim.

“Rezultatet e ushtrimeve treguan se, në përgjithësi, si autoritetet ashtu edhe operatorët e telekomunikacionit janë të gatshëm të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve në zhvillim, për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të internetit dhe rrjetit të unifikuar të telekomunikacionit në Federatën Ruse”, ka thënë zëvëndësministri, Alexey Sokolov.

Rezultatet tani do t’i prezantohen presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ekspertët mbeten të shqetësuar në lidhje me prirjen e disa vendeve për të shuar internetin që përdoret tani në botë.

“Gjithnjë e më shumë, vendet autoritare duan të kontrollojnë atë që shohin qytetarët”, tha profesor, Alan Woodward, një shkencëtar i kompjuterave në Universitetin e Surreyt.

“Kjo do të thotë që njerëzit nuk do të kenë qasje në dialog rreth asaj që po ndodhë në vendin e tyre”, tha ai.

Një ekspert tjetër paralajmëroi se masa mund të ndihmojë shtetin, të shtypë fjalën e lirë, megjithatë ai ngriti edhe dyshime për suksesin e kësaj iniciative.

“Qeveria ruse ka kaluar në sfida teknike në të kaluarën kur përpiqej të rriste kontrollin në internet, siç janë përpjekjet e saj kryesisht të pasuksesshme për të bllokuar rusët nga hyrja në aplikacionin e mesazheve të koduara në Telegram” thotë për BBC-në, Justin Sherman, një bashkëpunëtor i sigurisë në internet në Institutin “Amerika e Re”.

Më 1 nëntor, në Rusi hyri në fuqi një ligj që parasheh kontrolle të reja në internet.

Ligji i ashtuquajtur “Interneti sovran” është miratuar nga ligjvënësit dhe është nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, disa muaj më parë.

Ai u kërkon ofruesve të internetit të instalojnë pajisje që mund të drejtojnë trafikun në internetin rus, përmes pikave që kontrollohen nga shteti.

Mbështetësit e ligjit thonë se ai do ta bëjë segmentin rus të internetit – të njohur si Runet – më të pavarur.