Samiti historik nën pikëpyetje të madhe

Trump po e shtynë Moonin ta ndihmojë në zbulimin e qëllimeve të vërteta të Kim Jong-unit.

Samiti historik nën pikëpyetje të madhe

Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet të martën me homologun e tij jugkorean Moon Jae-In për të biseduar për samitin me liderin e Koresë Veriore Kim Jong-un, i cili është nën dyshim se do të mbahet, shkruan “Jutarnj List” kroat.

Tri javë para takimit historik në mes të presidentit amerikan dhe liderit koreanoverior, i cili duhet të mbahet në Singapor dhe zhvillimi i të cilit është ende nën sekret të madh, banori i Shtëpisë së Bardhë llogaritë se banori i Shtëpisë së Kaltër do t’i ndihmojë në zbulimin e qëllimit të vërtetë të njeriut të parë të Phenianit, transmeton Insajderi.com.

Në qendër të bisedimeve do të jetë çështja e denuklearizimit për të cilin Uashingtoni dëshiron të jetë “komplet, i besueshëm dhe në mënyrë të pakthyeshme”, por rreth të cilit Koreja Veriore nuk i ka zbuluar qëllimet e veta të vërteta.

Trump dhe Moon të cilët kanë biseduar me telefon gjatë vikendit, do të takohen sot në mesditë në Zyrën Ovale por nuk parashihet konferenca e përbashkët për medie.

I pyetur për mendimet e presidentit amerikan në lidhje me samitin e paralajmëruar, ministri i financave Steven Mnuchin ka thënë të hënën: “Tani për tani ende është ashtu siç është paraparë. Nëse diçka ndryshon, do të jeni të informuar”.

Atmosfera është larg prej çfarëdo euforie e cila sundonte në javët pas publikimit, më 8 mars, të marrëveshjes bazë mbi takimin në katër sy, të paimagjinueshëm për një kohë të gjatë, në mes të presidentit të SHBA dhe trashëgimtarit të dinastisë Kim e cila po sundon në Korenë Veriore tashmë më tepër se gjysmë shekulli./Insajderi.com.