Liderët e samitit G7 janë deklaruar se janë të përkushtuar që t’i përdorin të gjitha resurset e tyre që humbjet e shkaktuara nga pandemia Covid-19 të mos përsëriten më.
Në ditën e dytë të samitit në Cornwall të Britanisë së Madhe, ata do të lëshojnë një deklaratë e cila pritet t’i përmbajë disa masa që do të vihen në shërbim të këtij qëllimi, raporton BBC, transmeton Insajderi.
Synimi është që të shkurtohet koha e nevojshme për prodhimin e vaksinave nën 100 ditë.
Ndërkaq të premten, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e bëri hapjen e samitit duke thënë se planet e vendeve anëtare të G7 janë që ta zvogëlojnë pabarazinë globale.
Johnson që njëkohësisht është edhe nikoqiri i këtij samiti, po ashtu deklaroi se është koha që bota të mësojë nga gabimet e krizës ekonomike të 2008-tës dhe ta trajtojë “plagën” e pabarazisë.
Përndryshe, G7 apo “Grupi i të Shtatëve” është një organizatë e krijuar nga të ashtuquajturat shtatë ekonomitë më të mëdha të botës: Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. /Insajderi.com