Të paktën 20 nxënës nga klasat parashkollore humbën jetën në Niger nga zjarri që shkatërroi institucionin, i cili ndodhet në kryeqytetin e vendit, Niamey, transmeton Insjaderi.
“Njëzet klasa kasolle prej kashte u shkatërruan nga zjarri dhe fatkeqësisht 20 fëmijë humbën jetën”, tha koloneli Sidi Mohamed, kreu i zjarrfikësve për transmetuesin kombëtar të vendit “Tele Sahel”, raporton Anadolu Agency (AA).
Halidou Mounkaila, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës Kombëtare të Agjentëve Kontraktorë dhe Nëpunësve Civilë në arsimin bazë për AA tha se: “25 nga 38 klasat e shkollës u shkatërruan nga zjarri”, duke shtuar se “deri më tani janë të paktën 20 nxënës të vdekur”.
Shkolla ku shpërtheu zjarri ndodhet në periferi, në pjesën juglindore të Niamey, jo shumë larg aeroportit.
Kryeministri Ouhoumoudou Mahamadou vizitoi vendin e ngjarjes dhe përcolli “ngushëllimet” e qeverisë për familjet e fëmijëve që humbën jetët. /Insajderi.com