Senati amerikan, që është duke shqyrtuar kandidaturën për vendin bosh në Gjykatën e Lartë, pritet të bëjë një ndryshim historik të rregullave të votimit të enjten, ndërsa senatorë të të dyja partive paralajmërojnë se kjo do të shoqërohet me rreziqe që mund ta ndryshojnë institucionin.
Republikanët pritet të përdorin shumicën e tyre për të ndryshuar rregullat në Senat, në mënyrë që të eliminojnë procedurën e bllokimit të votimit (të njohur si ‘filibuster’) për kandidaturën për në Gjykatën e Lartë, një lëvizje draastike që quhet “opsioni bërthamor”, pasi eliminon të drejtat e partisë pakicë në kongres.
“Jemi në një moment delikat” tha senatori republikan John McCain, ndërsa partia e tij përgatitet të ndryshojë rregullat e senatit dhe të ndalojë demokratët të bllokojnë kandidatin e Presidentit Donald Trump për në Gjykatën e Lartë, gjykatësin Neil Gorsuch. “Kam frikë se një ditë do të pendohemi për atë që jemi gati të bëjmë tani”, tha senatori McCain
Bllokimi i votimit të zotit Gorsuch dhe ndryshimi i rregullave është diçka që senatorët e asnjërës parti nuk e duan. Por demokratët këmbëngulin se ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kërkojnë një shumicë prej tre të pestash për të miratuar kandidatin e Gjykatës së Lartë për vendin e mbetur bosh nga vdekja e gjykatësit Antonin Scalia vitin e kaluar, meqë republikanët nuk e lejuan presidentin Barack Obama ta plotësonte atë.
“Për herë të parë në histori, po shqyrtojmë një kandidat për një vend të vjedhur të Gjykatës së Lartë, dhe vetëm kjo mund të jetë një arsye e fortë për gjithkënd që e vlerëson këtë institucion, të refuzojë këtë kandidaturë”, tha senatori demokrat Jeff Merkley nga Oregoni në fund të një fjalimi prej 15 orësh në kongres.
“Ne nuk duhet të shqyrtojmë një kandidat nga një president që është nën hetim për konspiracion me Rusinë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve”, shtoi ai.
Nuk ishin vetëm demokratët që përdorën një retorikë të ashpër. Republikanët nga ana e tyre, i akuzuan demokratët për krijimin e pengesave të pakuptimta. .
“Duket se shumë demokratë vendosën kohë më parë të kundërshtojnë këdo që do të emëronte presidenti”, tha kryetari i shumicës në senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki. “Demokratët do të bllokonin edhe gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg në se ajo do të emërohej nga presidenti Trump dhe ne e dimë arsyen. Demokratët po përulen ndaj interesave të së majtës që nuk po kapërdinë dot rezultatin e zgjedhjeve dhe po kërkon kundërshtim të plotë të çdo gjëje që bën presidenti.”
Në se republikanët shkojnë me “opsionin bërthamor,” zoti Gorsuch do të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash.
“Gorsuch do të konfirmohet si anëtar i ardhshëm i Gjykatës së Lartë”, parashikon senatori republikan John Cornyn nga Teksasi. “Por është në dorën e miqve tanë demokratë të përcaktojnë sesi do të ndodh kjo.”
“Shpresoj që demokratët ta rivlerësojnë qëndirmin e tyre para votimit të rëndësishëm që do të ndodhë të enjten” tha zoti McConnell. “Shpresoj që ata do të shqyrtojnë domethënien e veprimeve të tyre për të ardhmen e këtij institucioni dhe më gjerë.”
Kur demokratët kishin shumicën në Senat në vitin 2013, ata i ndryshuan rregullat e votimit duke eleminuar procedurën e bllokimit për kandidatët për degën ekzekutive dhe për emërimet në sistemin e drejtësisë, me përjashtim të Gjykatës së Lartë. Demokratët thonë se ka dallim mes veprimit të tyre dhe asaj që po premtojnë të bëjnë republikanët.
“Anëtarët e kabinetit shkojnë e vijnë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë mbeten,” tha senatori demokrat Brian Schatz nga Havai. “Kabineti i kësaj administrate është si një takim dashurie, takim i keq dashurie, por të paktën do t’i vijë fundi. Një gjykatës i Gjykatës së Lartë nga ana tjetër është i përhershëm. Është si martesa. Një emërim i përjetshëm”.
“Pa këtë procedure bllokimi [‘filibuster’], në se je anëtar i partisë në pakicë, të emëruarit e presidentit nuk kanë përse të të dëgjojnë, përse të takohen me ty, apo të kenë parasysh mendimet e tua (të senatorëve të pakicës). Pa këtë rregull, këshilla dhe konsensusi është i pakuptimtë për secilën parti që nuk është në pushtet,” shton zoti Schatz.
Në vitin 2005, senatori McCain ishte pjesë e një grupi dypartiak senatorësh, që punuan për të shmangur procedurën e bllokimit të votimit, ‘filibuster’, për kandidatët e sistemit të drejtësisë të emëruar nga presidenti i atëhershëm George W. Bush. Grupi ia doli me sukses dhe opsioni bërthamor (ndryshmi i rregullave të votimit në Senat) u shmang. Duke folur në Senat të mërkurën, zoti McCain shprehu keqardhje që asnjë përpjekje e tillë nuk u bë këtë javë.
“Kam patur biseda me kolegë nga të dyja palët për një përpjekje që përsëri të hapte rrugën për të shmangur si procedurën e bllokimit të votimit për gjykatësin Gorsuch edhe opsionin bërthamor,” tha zoti McCain. “Fatkeqësisht … këto përpjekje kanë dështuar.
“Kolegët e mi duhet ta kuptojnë se ky është një moment historik. Ajo që presim të ndodhë, do të ketë pasoja të jashtëzakonshme,” shtoi senatori nga Arizona.
Ndryshimi i rregullave për t’i dhënë fund bllokimit të votimit të gjykatësit do të hapë rrugën për konfirmimin e tij të premten./VOA