Serie A: Atalanta mposht Genoan, Spezia fiton sfidën e mbijetesës kundër Torinos

Serie A: Atalanta mposht Genoan, Spezia fiton sfidën e mbijetesës kundër Torinos

Janë mbyllur dy sfidat e luajtura për javën e 37-të të Serisë A, sfida ku Atalanta fitoi 3-4 në transfertë ndaj Genoas ndërsa Spezia e Ismajlit mundi thellë 4-1 Torinon e Vojvodës, njofton Insajderi.

Atalanta mori një fitore të artë duke bërë një hap të madh drejt sigurimit të një vendi për në Ligën e Kampionëve. Zikaltrit shënuan tre herë që në pjesën e parë me golat e Zapatës, Malinovskit dhe Robin Gosens.

Xhenovezët nuk u dorëzuan dhe shënuan tre herë në pjesën e dytë me Shomudov dy herë dhe Pandev i cili u tregua i saktë nga pika e 11-metërshit. Golin e fitores e shënoi Pasaliç në minutën e 51-të të sfidës, teksa Atalanta mban vendin e dytë në renditje në kuotën e 78 pikëve, tre më shumë se Milani i vendit të tretë që ka një ndeshje më pak.

Në sfidën tjetër Spezia mundi 4-1 në shtëpi Torinon, duke u larguar përfundimisht nga zona e kuqe. Heroi për vendasit ishte Nzola i cili realizoi dopietë në këtë sfidë. Mbrojtësi shqiptar Ardian Ismajli luajti për 90 minuta në këtë sfidë ndërsa mbrojtësi tjetër Mërgim Vojvoda luajti vetëm një pjesë loje. /Insajderi.com