Serie A, fitojnë Milan, Juventus dhe Lazio

Serie A, fitojnë Milan, Juventus dhe Lazio

Të dielën, Serie A zhvilloi ndeshjet e javës së gjashtë, ku në këto ndeshje fituan favoritët, njofton Insajderi.

Në ndeshjen e zhvilluar në mesditë, Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në transfertën e Udines me rezultat 1:2.

Në minutën e 18’ të ndeshjes, Kessie kaloi për herë të parë në epërsi mysafirët, teksa barazuan rezultatin vendasit me De Paul nga penalltia në minutën e 48’ të ndeshjes. Sulmuesi boshnjak, Zlatan Ibrahimoviç siguroi fitoren për Milan në minutën e 83’ të ndeshjes.

Në ndeshjen tjetër, Juventus ka vuajtur në pjesën e parë kundër Spezia, por inkuadrimi në pjesën e dytë i Ronaldos, ka shpëtuar karrigen e Pirlos.

Morata shënoi për 0:1 në minutën e 14’, teksa barazuan vendasit me Pobega në minutën e 32’ të ndeshjes. Me këtë rezultat mbaroi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Juventus pati krejt paraqitje tjetër, pasi në minutën e 56’ në vend të Dybalas inkuadrohet Cristiano Ronaldo. Pas vetëm tre minutash, Ronaldo riktheu epërsinë për mysafirët, derisa do të dyfishonte rezultatin Rabiot (68’). Golin e dytë personal në këtë takim, dhe të katërtin për Juventus, e shënoi Ronaldo në minutën e 76’ nga penalltia.

Ndeshja tjetër e Serie A, ditën e diele, ishte ajo e zhvilluar në Torino mes Torinos dhe Lazios. Në këtë takim, te Torino nga minuta e parë u paraqit Vojvoda, i cili luajti deri në minutën e 70’ kur u zëvendësua, ndërsa Muriqi te Lazio luajti deri në minutën e 57’ të ndeshjes.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me Pereira (15’), ndërsa vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e parë. Së pari barazoi Bremer (20’), teksa Belotti shënoi nga penalltia (25’) për 2:1, me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Lazio barazoi rezultatin me Milinkovic-Savic  (49’), ndërsa Torino përsëri riktheu epërsinë, kësaj radhe me Lukic (87’). Lazio përsëri barazoi, me Immobile nga penalltia, i cili realizoi në minutën e pestë shtesë. Kur ndeshja pritej të mbyllej në barazim, Caicedo shënoi në minutën e tetë shtesë, duke i dhuruar fitoren skuadrës nga Roma. /Insajderi.com