Janë luajtur ditën e sotme, duke filluar nga ora 15:00, shtatë ndeshje në Serinë A, të vlefshme për javën e 29-të kampionale, njofton Insajderi.
Napoli ka marrë një fitore me shumë vuajtje, teksa ka triumfuar 4-3 ndaj Crotones, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare. Fitore aspak të lehët ka marrë edhe Atalanta, që ka mposhtur në shtëpi Udinesen, me rezultatin 3-2.
Roma nuk ka shkuar më shumë se barazimi 2-2 ndaj Sassuolos në transfertë, duke bërë kështu një hap fals, për objektivat e skuadrës. Lazio ka triumfuar 2-1 ndaj Spezias, në frymën e fundit, në një ndeshje të tensionuar, ku të ‘kaltrit’ e mbyllën me nëntë lojtarë, pasi Lazzari dhe Correa u ndëshkuan me kartonë të kuq në fundin e ndeshjes.
Në takimit tjetër, Benevento dhe Parma kanë luajtur baras 2-2, Cagliari është mposhtur në shtëpi nga Verona me shifrat 0-2, teksa në sfidën tjetër, Genoa dhe Fiorentina kanë ndarë pikët duke luajtur 1-1. /Insajderi.com