Një ndeshje interesante është zhvilluar gjatë të mërkurës në Superligën e Kosovës, ku Llapi në shtëpi është ndalur në një barazim me rezultat 3:3, me mysafirët nga Skenderaj, ekipin e Drenicës, njofton Insajderi.
Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultat të barabartë 1:1, teksa nga dy gola u shënuan edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Të parët që zhbllokuan rezultatin ishin nikoqirët me realizimin e Ramadanit (25’), teksa kur pritej që pjesa e parë të mbyllej me shifrat minimale për vendasit, në skenë doli Gjoni për miqtë, duke barazuar rezultatin në minutën e tretë shtesë.
Pjesën e dytë dukshëm më mirë e filluan mysafirët nga Skenderaj duke shënuar dy herë. Fillimisht Uka shënoi për 1:2 në minutën e 58-të ndërsa golin e tretë për mysafirët e shënoi Cikani (75’).
Mirëpo takimi nuk u mbyll këtu, pasi deri në fund, Llapi do të shënonte dy herë për të evituar humbjen në fund. Hoti (83’) dhe Januzi (88’) ishin autorët e golave.
Llapi me këtë pikë të fituar shkon në 27 pikë në pozitën e shtatë, ndërsa Drenica mbetet në zonën e rrezikshme, në vendin e parafundit me 25 pikë. /Insajderi.com