SHBA: Gjykatësi urdhëron dorëzimin e shpejtë të fletëvotimeve

SHBA: Gjykatësi urdhëron dorëzimin e shpejtë të fletëvotimeve

Një gjykatës federal ka urdhëruar Shërbimin Postar të SHBA-ve (USPS) të përshpejtojë përpjekjet për dorëzimin e fletëvotimeve me postë përderisa afati i fundit po afrohet në shumë shtete në Ditën e Zgjedhjeve, transmeton Insajderi.

Gjykatësi amerikan i qarkut në Washington D.C., Emmet Sullivan, i dha kohë USPS-së deri në orën tre pasdite sipas kohës lokale për “të siguruar që asnjë fletëvotim nuk ka ngecur” në rajonet ku përpunimi i fletëvotimeve me postë është vonuar.

Të dielën, Sullivan po ashtu urdhëroi që USPS-ja të përforcojë “procedurat e veçanta” dhe “masat e jashtëzakonshme” për të përdorur rrjetin e saj të postës së shpejtë për të dorëzuar çdo fletëvotim të mundshëm para afatit të fundit në Ditën e Zgjedhjeve.

“Shërbimi Postar vazhdon të zbatojë masa të jashtëzakonshme për të përparuar dhe përshpejtuar dorëzimin e fletëvotimeve”, tha Kristin Seaver më 29 tetor, shefe e tregtisë dhe dërgesës së USPS-së.

Siç tha Seaver, këto përpjekje përfshijnë “automjete shtesë të transportit dhe njësi dërgesash që do të merren me grumbullime të rregullta”.

USPS theksoi se koha mesatare e dorëzimit të postës, përfshirë fletëvotimet, ka qenë 2.5 ditë që nga 1 tetori. Shërbimi Postar njoftoi se ka përpunuar dhe dorëzuar më shumë se 122 milionë fletëvotime që nga 4 shtatori, që përfshijnë ato të zbrazëta dhe të plotësuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Me 35 milionë vota të parakohshme dhe 65 milionë vota të hedhura me postë për shkak të koronavirusit, një numër rekord prej 100 milionë amerikanësh votuan më herët këtë vit, ndërsa mbi 50 milionë pritet të hedhin votat e tyre sot në Ditën e Zgjedhjeve. /Insajderi.com