Shtetet e Bashkuara të Amerikës ‘hakmerren’ ndaj OKB-së pas dështimit në votimin e javës së kaluar për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Misioni i SHBA-së në OKB ka bërë të ditur dje se ka vendosur të reduktojë me 285 milion dollarë financimin për Organizatën.
“Joefikasiteti dhe tejkalimi i Kombeve të Bashkuara janë të njohura mirë. Ne nuk do ta lejojmë më që bujaria e popullit amerikan të përfitohet ose të mbetet e pakontrolluar. Kjo ulje historike e shpenzimeve – përveç shumë lëvizjeve të tjera drejt një OKB më efikase dhe më të përgjegjshme – është një hap i madh në drejtimin e duhur. Ndërsa ne jemi të kënaqur me rezultatet e negociatave buxhetore të këtij viti, mund të jeni të sigurtë se do të vazhdojmë të shikojmë mënyrat për të rritur efikasitetin e OKB-së duke mbrojtur interesat tona“, – tha ambasadori Haley.
Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të ndalojë ndihmën financiare për vendet që votojnë rezolutën e OKB-së, me anë të së cilës kundërshtohet vendimi i SHBA-së për njohjen e Jerusalemit, kryeqytet të Izraelit. Njëri nga vendet që votoi kundër ishte edhe Shqipëria. Nuk idhet nëse masa të ngjashme do të miratohet edhe ndaj vendit tonë.