SHBA-ja ka porositur edhe 200 milionë vaksina kundër COVID-19

SHBA-ja ka porositur edhe 200 milionë vaksina kundër COVID-19

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se kanë porositur 200 milionë doza shtesë të vaksinës kundër Coronavirusit të ri (COVID-19), prej të cilave 100 milionë nga Pfizer dhe 100 milionë nga Moderna, transmeton Insajderi.

Presidenti Biden vizitoi Institutin Kombëtar të Shëndetit ku u informua lidhur me punimet e vaksinës në luftën kundër COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nënshkruam marrëveshje për vaksina shtesë prej të cilave 100 milionë nga Moderna dhe 100 milionë nga Pfizer”, tha Biden në një fjalim pas inspektimit.

Më tej, Biden bëri të ditur se vaksinat shtesë do të dorëzohen deri në fund të muajit korrik.

“Kuptimi i kësaj është se po shpëtojmë jetët e njerëzve. Tre javë më parë kur mora detyrën ky vend nuk kishte një plan vaksinimi”, tha Biden, duke shtuar se kanë rritur 30 për qind normën e vaksinimit javor në mbarë vendin pas ardhjes në detyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Biden po ashtu njoftoi se të dy kompanitë me marrëveshjen e re do të dorëzojnë në fund të muajit maj vaksinat me nga 100 milionë doza të cilat më parë i kanë deklaruar se do t’i dorëzonin në fund të qershorit.

Me marrëveshjen e fundit administrata amerikane ka garantuar marrjen e 600 milionë dozave të vaksinës për COVID-19. Në këtë mënyrë, vendi me rreth 300 milionë njerëz do të furnizohet me vaksina të mjaftueshme për injektimin me dy doza të vaksinës kundër COVID-19.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë me mbi 486 mijë viktima dhe me rreth 28 milionë raste të COVID-19. Ndërkohë në SHBA janë vaksinuar 46 milionë njerëz me vaksinën kundër COVID-19. /Insajderi.com