Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA njoftoi se më shumë se 117 milionë njerëz morën dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 dhe më shumë se 70 milionë dozën e dytë, transmeton Insajderi.
Në 24 orët e fundit në SHBA, 709 persona humbën jetën si pasojë e Coronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 561.783.
Të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” tregojnë se numri i personave të infektuar me COVID-19 është rritur me 66.653 dhe tani arrin në 31.151.904 raste.
Kalifornia është shteti federal më i prekur nga pandemia në SHBA me më shumë se 3.69 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 60 mijë viktima nga COVID-19. Më pas vijon Teksasi (më shumë se 2.82 milionë të infektuar) dhe Florida (më shumë se 2.1 milionë).
Sa i përket numrit të personave të infektuar në botë, SHBA-ja ndiqet nga Brazili (më shumë se 13.4 milionë) dhe India (më shumë se 13.3 milionë). Ndërsa lidhur me numrin e vdekjeve nga COVID-19, pas SHBA-së janë Brazili (më shumë se 351 mijë) dhe Meksika (më shumë se 209 mijë). /Insajderi.com