SHBA planifikon të ndajë rreth 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca

SHBA planifikon të ndajë rreth 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë planifikuar të ndajnë 60 milionë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’, për shtete të ndryshme të botës, sapo që Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ta verifikojë këtë vaksinë, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Andy Slavitt, këtë të hënë përmes një shkrimi në Twitter, raporton ‘Reuters’.

“SH.B.A. do të ndajë 60 milionë doza AstraZeneca në shtetet e tjera ndërsa ato bëhen të disponueshme”, thuhet në shkrimin e Slavitt.

Administrata Biden në mars të këtij viti njoftoi se do të dërgonte afërsisht katër milionë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’ në Kanada dhe Meksikë dhe është nën presion tani për të zgjeruar ndarjen e rezervave të saj me Indinë dhe vendet e tjera.

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients, i tha Associated Press se rreth 10 milionë doza të vaksinës AstraZeneca ishin gati për tu ndarë dhe duhej të kalonin në një rishikim përfundimtar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, dhe shtoi se kjo mund të përfundojë javët e ardhshme. /Insajderi.com