SHBA, sanksione për koreanoveriorët e punësuar jashtë vendit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj dy entiteteve në Korenë e Veriut që mundësojnë eksportimin e krahut të punës, duke shkelur kështu sanksionet e OKB-së.

SHBA, sanksione për koreanoveriorët e punësuar jashtë vendit

Një deklaratë e qarkulluar të martën nga Departamenti amerikan i Thesarit identifikon dy entitetet me emrat: Korea Namgang Trading Corp (NTC), si dhe Beijing Sukbakso.

Sipas një rezolute të OKB-së të vitit 2017, të gjitha vendeve u ishte dhënë kohë deri në 22 dhjetor 2019 për të kthyer mbrapsht të gjithë punëtorët nga Koreja e Veriut.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë akuzuar shpesh Korenë e Veriut se dërgon shtetasit e saj në vende të tjera për punë të detyruar, si një mënyrë për të mbështetur ekonominë e saj, ndërkohë që shumica e të ardhurave të punëtorëve shkojnë direkt në buxhetin e qeverisë. Vendi gjithashtu njihet për shkelje të praktikave ndërkombëtare të punës kur dërgon punëtorët jashtë, duke i vendosur ata nën kushte të ashpra pune.

Eksportimi i punëtorëve koreanoveriorë rrit të ardhurat e paligjshme për qeverinë e Koresë së Veriut, në shkelje të sanksioneve të OKB-së”, tha Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin.