Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane �" />

SHBA: Senati gati për fillimin e gjyqit për procesin e shkarkimit

Gjyqi për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump fillon të martën në senatin amerikan. Është hera e tretë në historinë amerikane që një president përballet me shkarkimin e mundshëm, nën akuzat për shkelje në detyrë.

SHBA: Senati gati për fillimin e gjyqit për procesin e shkarkimit

Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane është votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për gjyqin.

Rezoluta e senatorit McConnell do t’u jepte ligjvënësve demokratë që do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentet e tyre. Në projekt-rezolutë nuk thuhet nëse do të thirren dëshmitarë dhe nëse do të lejohet paraqitja e provave të reja.

Zoti McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me shpalljen të pafajshëm të zotit Trump.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha të hënën në mbrëmje se një gjyq pa paraqitje provash, dëshmitarë ose dokumente “nuk është aspak gjyq”.

“Kur lexon rezolutën e hartuar nga McConnell, është e qartë se ai është I vendosur që ta bëjë sa më të vështirë thirrjen e dëshmitarëve dhe paraqitjen e dokumenteve dhe se synimi i tij është që gjyqi të bëhet me nxitim. Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm dhe serioz është një proces shkarkimi, rezoluta e Senatorit McConnell është një turp kombëtar”, tha senatori Schumer.

Avokatët e presidentit Trump po sulmojnë argumentet e procesit të shkarkimit ndaj tij duke i quajtur ato një “perversion të rrezikshëm të Kushtetutës”. Ata thanë se ai nuk bëri “absolutisht asgjë të keqe” kur i kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar politikisht.

Avokatët thanë se ligjvënësit demokratë që kërkojnë me ngulm shkarkimin e Presidentit, nuk synojnë të gjejnë të vërtetën rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë, por e bëjnë këtë në një farë mënyre për të diskualifikuar zgjedhjen e zotit Trump në vitin 2016 dhe për të ndërhyrë në fushatën e tij për t’u rizgjedhur në garën e këtij viti.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy akuza ndaj zotit Trump. Sipas njërës prej tyre, ai abuzoi me postin e presidentit duke i bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të hetonte një nga rivalët kryesorë të Presidentit Trump për zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin, Joe Biden. Akuza e dytë është se ai pengoi hetimin e Kongresit.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se “dëshmitë provojnë në mënyrë dërrmuese” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat e ngritura në procesin kundër tij./voa.