SHBA do të armatosë kurdët në Siri, Turqia në ankth

SHBA do të armatosë kurdët në Siri, Turqia në ankth

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar furnizimin me armë të forcave kurde që luftojnë Shtetin Islamik në Siri.

Lajmi njoftohet nga vet Pentagoni, një zëdhënëse e të cilit tha se elementët kurdë të Forcave Demokratike Siriane (SDF) do të pajisen me armë për të ndihmuar në zmbrapsjen e militantëve xhihadistë nga bastioni i tyre, Raqqa.

Por zëdhënësja shton edhe diçka të rëndësishme. “Shtetet e Bashkuara janë shumë të vetëdijshme” në lidhje me shqetësimet e Turqisë pas kësaj lëvizjeje.

Turqia në fakt i konsideron rebelët kurdë si terroristë dhe kërkon t’i ndalë ata të rrëmbejnë më shumë territore në Siri. “SDF”-ja, ku bëjnë pjesë milici kurde dhe arabe, mbështetet nga forcat elitare amerikane dhe nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Grupi në fjalë është duke luftuar Shtetin Islamik për kontrollin e qytetit Tabqa, një qendër komandimi e xhihadistëve rreth 50 km larg bastionit Raqqa.

Një burim i Pentagonit tha për “BBC” se armatosja do të përfshijë municione, armë të lehta, automatikë, mitralozë, si dhe pajisje si buldozerët apo autoblinda. I njëjti burim shtoi se Shtetet e Bashkuara do të tentojnë “rikuperimin” e këtyre armatimeve pas përfundimit të fushatës.

Megjithatë, ende nuk është publikuar korniza kohore se kur do të nisë armatosja e forcave kurde.

“Jemi tejet të vetëdijshëm për shqetësimet e sigurisë të partnerit tonë në koalicion, Turqisë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, e cila ndodhet për një udhëtim zyrtar me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, në Lituani.

“Duam të sigurojmë popullin dhe qeverinë turke se, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që të parandalojnë rreziqe të mëtejshme të sigurisë për aleatin tonë në NATO”.

Turqia i konsideron kurdët sirianë si zgjatim i grupit separatist të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) brenda vendit, grup që është përcaktuar zyrtarisht edhe si organizatë terroriste.