SHBA-ja ka thënë se me sukses ka rrëzuar një raketë balistike me rreze të mesme, në kuadër të testimeve, duke përdorur sistemin e pengimit , që shpreson ta vendosë në gadishullin korean.
Testi i sotëm i sistemit të mbrojtjes raketore (THAAD), është bërë në kohën e tensioneve të ngritura, pasi Koreja Veriore testoi me sukses një raketë balistike interkontinetale (ICBM), e cila dëshmoi se ka kapacitet për të arritur në territorin e SHBA-së.
Agjencia e Mbrojtjes Raketore në SHBA, ka thënë se testi amerikan është bërë ashtu që, një aeroplan i tipit C-17, duke fluturuar në Oqeanin Paqësor, ka nisur një raketë me rreze të mesme, e cila është zbuluar dhe penguar nga sistemi i mbrojtjes raketore THAAD, në Alaskë.
Kjo agjenci ka thënë se ky është testimi i 15-të që është kryer me sukses.
Disa nga testimet e këtij lloji ishin kryer nga Koreja Jugore, kur Seuli udhëhiqej nga qeveria e mëparshme.
Lideri i ri i Koresë Jugore, Moon Jae-In, pati pezulluar programin THAAD, në qershor, duke thënë se duhet të bëhet një vlerësim i ri i ndikimit të këtij programi në mjedis.
Kina ka qenë shumë e zemëruar me vendosjen e programit në këtë pjesë, duke e quajtur këtë hap si destabilizues për rajonin.
Presidenti rus, Vladimir Putin pati thënë se vendosja e programit THAAD, në Korenë Jugore dhe në Alaskë, “shkatërron balancin strategjik në botë”. /REL