
Shefat Isufi këtë vikend do të ndeshet me Billy Joe Saunders për titullin WBO të botës në peshat super të mesme. Boksieri shqiptar nga Tërnoci i Luginës, deri tani ka 27 fitore, 3 humbje dhe 2 barazime në karrierë, shkruan Insporti.
Në anën tjetër, Saundersi deri tani nuk e ka asnjë humbje (27-0-0) dhe cilësohet si favoriti absolut në këtë meç. Përkundër se është favoriti, Saunders, 29-vjeçar, nuk është treguar aspak arrogant dhe madje e ka vlerësuar Isufin.
“Isufi është një test shumë i vështirë. Ai është shumë, shumë i fortë dhe duhet të jesh me të vërtetë i gatshëm dhe kalkulues me këtë lloj kundërshtari”, ka thënë Saunders para meçit.
“Ai është një lloj boksieri i cili atë çka e bën, e bën shumë, shumë mirë menjherë pasi të ketë rënë gongu”, ka thënë boksieri britanik.
Kurse, Isufi për Insportin ka thënë se do të japë maksimumin nga vetja dhe se do të shkojë për fitore, e jo vetëm për të kaluar meçin.