Shefi i OKB: Marrëveshja për klimën është thelbësore

Shefi i OKB: Marrëveshja për klimën është thelbësore

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se është absolutisht thelbësore, që bota të bashkohet për të luftuar kërcënimin nga ndryshimet klimatike.

Duke folur në Nju Jork, Z. Guterres tha se, nëse ndonjë vend dyshonte në nevojën për marrëveshjen e klimës, në Paris 2015, atëherë vendet e tjera duhet të mbajnë kursin.

Këto fjalë, shefi i OKB-së i tha menjëherë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, refuzoi t’i bashkohej liderave të vendeve të G7, në rikonfirmimin e marrëveshjes, duke thënë se do të vendosë së shpejti për qëndrimin e Amerikës.

Më herët, Donald Trump ka hedhur poshtë ngrohjen globale, si një mashtrim të krijuar nga Kina dhe ka kërcënuar se SHBA-të do të largohen nga marrëveshja e Parisit.

Guterres po bën deklaratën e parë të madhe mbi klimën, që prej marrjes së detyrës prej tijë, pesë muaj më parë.

“Nëse ndonjë qeveri dyshon për vullnetin global dhe nevojën për këtë marrëveshje, kjo është arsyeja që të gjithë të tjerët të bashkohen edhe më të fortë dhe të qëndrojnë në kurs,” i tha ai audiencës në Universitetin e Nju Jorkut.