Shkencëtarët thonë se Coronavirus-i është aq vdekjeprurës sa edhe pandemia e vitit 1918

Shkencëtarët thonë se Coronavirus-i është aq vdekjeprurës sa edhe pandemia e vitit 1918

Coronavirus-i është të paktën aq vdekjeprurës sa pandemia e gripit të vitit 1918 dhe numri i vdekjeve mund të jetë edhe më keq nëse udhëheqësit botërorë dhe zyrtarët e shëndetit publik nuk arrijnë ta kontrollojnë atë siç duhet, paralajmëruan studiuesit në një studim të botuar të enjten në revistën mjekësore JAMA Network Open, shkruan CNBC, transmeton Insajderi.

“Ajo që ne duam që të dinë njerëzit, është se kjo ka potencialin e vitit 1918”, tha autori kryesor Dr. Jeremy Faust në një intervistë, duke shtuar se shpërthimi në New York ishte të paktën 70% po aq i keq sa ai në vitin 1918 kur mjekët nuk kishin ventilatorë ose mjete të tjera mjekësore si sot. “Kjo nuk është diçka që të injorohet njëlloj si gripi”.

Studiuesit krahasuan vdekjet në New York City gjatë pikut të pandemisë së vitit 1918 me ato gjatë muajve të parë të shpërthimit Covid-19. Ata përdorën të dhëna publike nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Departamentin e Shëndetit dhe Higjienës Mendore të qytetit të New York-ut për të kryer analizat e tyre.

Rritja e vdekjeve gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918 ishte më e lartë në përgjithësi, por e krahasueshme me atë të vërejtur në dy muajt e parë të shpërthimit të Coronavirus-it në New York, zbuluan studiuesit. Por kur merren parasysh përmirësimet në higjienë, mjekësi moderne dhe shëndetin publik, rritja gjatë shpërthimit të hershëm të Coronavirusit ishte “thelbësisht më e madhe” sesa gjatë kulmit të pandemisë së vitit 1918, shkruajnë studiuesit.

“Nëse mjekohet në mënyrë të pamjaftueshme, infeksioni SARS-CoV-2 mund të ketë vdekshmëri të krahasueshme ose më të madhe sesa infeksioni i virusit të gripit H1N1 i vitit 1918”, shkroi Faust në një letër. Ai është një mjek në Spitalin Brigham dhe një instruktor në Shkollën Mjekësore Harvard.

Autorët e studimit vunë re se kërkimet e tyre kishin kufizime. Studiuesit thanë se është e panjohur se sa vdekje Covid-19 janë parandaluar që kur shpërthimi filloi për shkak të përmirësimeve moderne në kujdesin shëndetësor që nuk ishin në dispozicion një shekull më parë, të tilla si oksigjeni shtesë dhe ventilatorët. /Insajderi.com