Të paktën dhjetë njerëz u raportuan të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë ndër" />

Shkon në 10 numri i viktimave në protestat anti-grusht shtetit në Mianmar

Shkon në 10 numri i viktimave në protestat anti-grusht shtetit në Mianmar

Të paktën dhjetë njerëz u raportuan të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë ndërhyrjes policore ndaj demonstruesve kundër grusht shteti në disa qytete të Mianmarit, transmeton Insajderi.

Sipas dëshmitarëve okularë dhe mediave lokale, ndaj demonstruesve kundër puçit ushtarak u hodhën gaz lotsjellës, plumba gome dhe bomba shokuese, ndërsa policia dhe ushtarët intensifikuan ndërhyrjet ndaj protestave kundër grushtit të shtetit të fundit ushtarak në vendin e Azisë Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Policia dhe forcat e sigurisë përdorën armë vdekjeprurëse në qytetet e mëdha dhe të vogla për të ndaluar demonstratat masive, duke vrarë të paktën dhjetë persona që protestonin kundër puçit të 1 shkurtit.

Portali i lajmeve “Khit Thi Media” raportoi se katër protestues u vranë në qytetin tregtar Yangon dhe tre në Bago, një qytet rreth 78 kilometra në lindje të Yangon-it, dhe tre në Dawei, kryeqytetin e rajonit bregdetar jugor Tanintharyi.

Një student universiteti dhe një mësimdhënës ishin në mesin e të vrarëve në Yangon, sipas raportimeve dhe dëshmitarëve.

Policia hodhi gaz lotsjellës para se të shpërndante me dhunë protestën me ulje, të organizuar kryesisht nga mësimdhënësit, para një ndërtese në pronësi të Ministrisë së Arsimit, tha “Irrawaddy”, një tjetër media lokale e lajmeve.

Lajmi shton se një mësuese vdiq nga sulmi në zemër pasi u godit nga një plumb gome.

“Ishte tronditëse të shihje se sa brutale është policia. Ata qëlluan me gaz lotsjellës, pastaj u drejtuan drejt mësuesve që protestuan dhe filluan t’i rrahin dhe t’i shqelmojnë”, tha Myo Thein, një dëshmitar i cili drejton një tezgë ushqimesh buzë rrugës pranë vendit të protestës.

“Policia nuk tregoi mëshirë për ta”, tha ai, duke shtuar se rreth 40 mësues u ndaluan nga policia gjatë ndërhyrjes.

Unioni i Sindikatave Studentore të Birmanisë në një deklaratë tha se një prej anëtarëve të tyre u vra gjatë protestës në kryqëzimin e Rrugës Hledan, një vatër e protestave në Yangon.

Aty thuhet se Nyi Nyi Aung Htet Naing, një student 23-vjeçar në Universitetin West Yangon, u vra kur forcat e sigurimit e qëlluan atë.

AA nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse policia ka përdorur plumba të vërtetë apo plumba manovër.

Një banore e Dawei-t i tha AA-së se policia dhe ushtarët kishin shpërndarë me dhunë turmën.

“Ata madje hynë në shtëpitë ku ishin fshehur protestuesit dhe hapën zjarr”, tha ajo, duke shtuar se një protestuese ishte plagosur pasi u qëllua në shtëpinë e saj para se të tërhiqej nga policia.

“Ajo u qëllua dy herë para se policia ta tërhiqte nga shtëpia ime”, tha gruaja në të 40-at, në kushte anonimiteti.

Human Rights Watch (HRW), megjithatë, ka akuzuar forcat e sigurisë për përdorimin e armëve vdekjeprurëse kundër protestuesve paqësorë.

Trajtimi i dhunshëm i Forcave të Sigurisë së Mianmarit ndaj demonstruesve në përgjigje të protestave kryesisht paqësore kundër grushtit të shtetit është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë, thuhet në deklaratën nga zëvendësdrejtori i HRW-së për Azinë, Phil Robertson.

Municioni i vërtetë nuk duhet të përdoret për të kontrolluar ose shpërndarë protestat, ndërsa forca vdekjeprurëse mund të përdoret vetëm për të mbrojtur jetën ose për të parandaluar dëmtime serioze, shtohet më tej.

Vëzhguesi akuzoi forcat e sigurisë për ndalimin e gazetarëve që mbulonin protestat, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar.

Paramedikët që trajtojnë demonstruesit e plagosur në vendet e protestës janë arrestuar gjithashtu nga forcat e sigurisë për të frikësuar ata që mbështesin protestuesit pro-demokracisë, sipas deklaratës. /Insajderi.com