Shkon në 106 numri i viktimave nga koronavirusi

Shkon në 106 numri i viktimave nga koronavirusi

Zyrtarët kinezë konfirmuan të martën se numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 106. Disa shtete tashmë kanë marrë masa për evakuimin e qytetarëve të tyre nga epiqendra e virusit.

Japonia njoftoi se do të dërgojë një aeroplan të veçantë për t’i evakuuar shtetasit e vet, ndërsa edhe qeveria amerikane është duke e përgatitur një veprim të njëjtë. Departamenti i Shtetit kishte planifikuar fluturim për të martën në mbrëmje, por nuk është e qartë nëse ai do të realizohet sipas orarit.

Përpos tyre, edhe Franca dhe Koreja Jugore kanë bërë të ditur se gjatë kësaj jave do t’i largojnë qytetarët e vet nga provinca Hubei, ku janë regjistruar më së shumti raste të koronavirusit.

Të hënën, qeveria britanike, e cila është akuzuar për masa të ngadalshme, kërkoi nga shtetasit e vet që ta kontaktojnë Ministrinë e Jashtme për ta përcaktuar numrin e saktë të britanikëve që ndodhen në Wuhan. Besohet se në provincën Hubei ndodhen rreth 300 shtetas britanikë.

Vetëm në Kinë, deri më tash janë regjistruar 4515 raste të infektimeve. Rreth një mijë prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje kritike, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

Kina ka marrë masa të shumta në përpjekje për ta luftuar përhapjen e mëtejme të virusit të rrezikshëm. Në shumë qytete është ndaluar qarkullimi për vetura, tubimet publike dhe fluturimet.