Shkon në 714 numri viktimave në protestat në Mianmar që kanë shpërthyer pas grushtit të shtetit

Shkon në 714 numri viktimave në protestat në Mianmar që kanë shpërthyer pas grushtit të shtetit

Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 714, transmeton Insajderi.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), 4 viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 714, ndërsa i të arrestuarve në 3.054.

Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 717 persona të tjerë.

Lideri i Ushtrisë së Arakanit nuk dëshiron protesta

Ndërkohë, lideri i Ushtrisë së Arakanit, grup i armatosur etnik që ka veprimtari në shtetin Arakan të Mianmarit, Tun Myat Naing, njoftoi se nuk dëshiron organizimin e protestave dhe akteve të mosbindjes civile në mbarë shtetin.

Ushtria e Arakanit, Ushtria e Aleancës Demokratike Kombëtare Mianmar dhe Ushtria Kombëtare e Çlirimit Ta’ang, më 30 mars në një deklaratë me shkrim, kishin njoftuar se në rast të mos ndërprerjes së ndërhyrjes së armatosur ndaj protestuesve kundër puçit ushtarak, duke prishur marrëveshjen e armëpushimit me ushtrinë do të kalojnë në anën e protestuesve.

Grupet e armatosura në vitin 2018 kishin nënshkruar marrëveshje armëpushimi me ushtrinë.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato. /Insajderi.com