Është rritur në pesë numri i viktimave dhe në 300 numri i të plagosurve në protestat kundër reformës së taksave të cilat vazhdojnë prej katër ditësh në Kolumbi, transmeton Insajderi.
Mijëra persona në më shumë se 50 qytete përfshirë kryesisht kryeqytetin Bogota dhe qytetet Medellin, Cali, Baranquilla, Cartagena dhe Valle de Cauca kanë dalë nëpër rrugë duke protestuar kundër reformave të reja të qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit që marshuan drejt sheshit Bolivar, qendrën historike të kryeqytetit nën shoqërimin e këngëve dhe sloganeve reaguan ndaj projektit të ri të qeverisë për reformën e taksave.
Forcat policore të njësisë ESMAD ndërhynë me gaz lotsjellës pasi disa protestues hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj policisë.
Deri më tani në protesta kanë humbur jetën 5 persona përfshirë 1 polic si dhe janë plagosur 314 persona prej të cilëve 105 civilë dhe 209 policë. Ndërkohë nga forcat e sigurisë janë arrestuar edhe 300 persona.
Po hetohen 9 vrasje në Cali
Në qytetin Cali, qyteti i tretë më i madh i vendit ku protestat janë shndërruar në ngjarje të dhunës, Prokuroria ka filluar një hetim pas kryerjes së 9 vrasjeve brenda 3 ditëve.
Pas përfundimit të hetimit do të qartësohet nëse vrasjet kanë apo jo lidhje me protestat në qytet.
Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque në një program në një kanal televiziv dje tha se nuk do të tërheqin projektligjin për reformën e taksave që kanë paraqitur në Kongres por se do të përgatisin një tekst të ri që përfshin rregullime të ndryshme.
Ndërkohë organizatat e shoqërisë civile duke kërkuar edhe njëherë tërheqjen e projektligjit të reformës së re të taksave kanë paralajmëruar se do të fillojnë greva të reja kombëtare në mbarë vendin.
Protestat kundër reformës së taksave që filluan më 28 prill në Kolumbi me thirrjen për “grevë kombëtare” nga sindikatat, komunitetet vendase, grupet studentore dhe shtresave të ndryshme opozitare, në fillim u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe të qetë ndërsa më pas u shndërruan në ngjarje të dhunshme. /Insajderi.com