Shkon në shtatë numri i viktimave nga tërmeti në Kroaci

Shkon në shtatë numri i viktimave nga tërmeti në Kroaci

Një tërmet i fortë ka goditur Kroacinë qendrore duke vrarë të paktën shtatë vetë dhe ka plagosur shumë të tjerë, duke shkaktuar një shkatërrim të madh në Petrinja, një qytet në juglindje të kryeqytetit Zagreb, transmeton Insajderi.

Tërmeti, i cili rrëzoi linjat telefonike dhe dërgoi kroatët në një gjendje shoku, u ndje në të gjithë vendin të martën, si dhe në Serbinë fqinje, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe deri në Graz në jug të Austrisë, raporton Al Jazeera.

Ministri kroat i Mbrojtjes Tomo Medved raportoi gjashtë vdekje.

“Ne kemi shumë viktima. Në afërsi të Glinës, në qytetin e Majske Poljane, pesë vdekje janë konfirmuar deri më tani. Me një vajzë nga Petrinja, gjithsej gjashtë vetë vdiqën në këtë tërmet shkatërrues”, u tha Medved gazetarëve në Glina.

Më vonë, Ivica Perovic, shefi i Komunës së Lekenikut, konfirmoi se një trup i një burri u gjet në rrënojat e një kishe lokale në fshatin Zazine, në veri të Petrinja, duke rritur numrin e të vdekurve në shtatë. /Insajderi.com