Organizatat e shoqërisë civile kanë mirëpritur reagimet e ndërkombëtarëve rreth procesit të përzgjedhjes së noterëve të rinj, të udhëhequr nga ministri në largim i drejtësisë Abelard Tahiri.
Pas disa reagimeve të shoqërisë civile, javën e kaluar një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare ishin shumë të qarta në thirrjet e tyre për të mos emëruar noterët që dalin nga procesi i fundit i përzgjedhjes.
Fillimisht reaguan Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe Oda Federale e Noterëve të Gjermanisë, ndërsa sot erdhi edhe thirrja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe reagimi i Ambasadorit Gjerman në Kosovë z. Heldt.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se janë të shqetësuara nga deklaratat e ministrit në largim të Drejtësisë Abelard Tahiri që përkundër të gjithave planifikon të përmbyllë këtë proces.
“Ne përsërisim kërkesat tona që ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noterë nga lista aktuale e kandidatëve për noterë; Ministri i ri i Drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve; dhe Policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj”, thuhet në deklaratë.
Organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë lëshuar këtë deklaratë janë: COHU!, Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL.