Të paktën katër persona janë vrarë në një shpërthim që tronditi qendrën e qytetit jugor të Irakut, Basra, tha ushtria irakiane.
Në një deklaratë të martën, ushtria tha se një motoçikletë e montuar me eksploziv ishte shkaku i shpërthimit, i cili dërgoi një kolonë tymi të zi në qiell.
Ushtria tha se ekspertët e mjekësisë ligjore ishin ende në vendngjarje, duke hetuar.
Të paktën 20 të tjerë u plagosën nga shpërthimi, thanë burime policore dhe shëndetësore për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në një deklaratë, një burim i lartë i sigurisë tha për rrjetin mediatik Rudaw se shpërthimi ndodhi përballë spitalit al-Jumhouri në qendër të qytetit.
“Forcat e sigurisë kanë rrethuar vendin e ngjarjes, për të zbuluar llojin dhe natyrën e shpërthimit”, tha burimi.
Shpërthimet kanë qenë të rralla në Basra vitet e fundit, veçanërisht që nga humbja e grupit të armatosur ISIS në 2017. /Insajderi.com