Shpresat e Prishtinës për Evropë, në duar të Llapit

FC Prishtina mund të marrë pjesë në garat evropiane pas përfundimit të këtij stinori, nëse pozicionohet e dyta në Superligë – pozitë në të cilën ndodhet dy xhiro para përfundimit të kampionatit – por duhet të shpresojë që Llapi të mos e fitojë Kupën e Kosovës.

Shpresat e Prishtinës për Evropë, në duar të Llapit

Prishtinës i duhet vetëm një fitore në dy xhirot e fundit për ta siguruar vendin e dytë në Superligën e Kosovës, vend që mund ta dërgojë 11 herë kampionin e Kosovës në Evropë. Mirëpo, për ta siguruar plasmanin në Evropë, Prishtina duhet të shpresojë që Llapi të humbas në finale të Kupës.

Skuadra e Llapit, e cila do të luajë finalen e Kupës së Kosovës më 31 maj ndaj Besës së Pejës, do të kualifikohej para Prishtinës në garat kualifikuese të Ligës së Evropës.

Kjo për shkak të rregullores së FKK-së dhe UEFA-s, sipas të cilave fituesi i Kupës së Kosovës fiton të drejtën për të luajtur në Evropë. Vetëm kur triumfuesi në kupë nuk është i licensuar, atëherë skuadra e dytë e kampionatit kualifikohet në Evropë

Skuadra e Besës nuk do të mund të luante në garat e Evropës edhe nëse arrin të fitojë kupën. Pejanët nuk janë licencuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për të marrë pjesë në Evropë.

E për Prishtinën e vetmja rrugë për të shkuar në Evropë, edhe nëse pozicionohet e dyta në Superligë, do t’i duhet një favor nga Besa e Pejës – rivali më i madh i Prishtinës në periudhën e pasluftës, raporton Insajderi.

“Bardhekaltërit” arritën fitore të madhe sot në Drenas, ku mposhtën ish-kampionin, Feronikeli, me rezultat 2-1. Golat për skuadrën që udhëhiqet nga Arsim Thaçi i shënuan dy futbollistët me origjinë afrikane, sulmuesi në top-formë Basit Khalid dhe mesfushori Guthier Mankenda.

Javën e ardshme, prishtinasit do të ndeshen me kampionin e sivjetmë, Trepçën 89’, në xhiron e ardhshme. Edhe nëse humb këtë ndeshje, Prishtina ka një tjetër mundësi për ta siguruar pozitën e dytë në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndaj Drenicës.

Megjithatë, skuadra e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikuese për Ligën e Kampionëve do të jetë Trepça 89’. “Xehetarët” e fituan këtë privilegj që një javë më parë, kur edhe zyrtarisht u shpallën Kampion të Kosovës.

Gjatë kësaj jave, FFK-ja ka njoftuar se vetëm katër skuadra janë licencuar për garat evropiane. Skuadrat e licencuara janë: Trepça ’89, FC Prishtina, KF Llapi dhe KF Feronikeli.

Sezoni 2016/2017 është hera e parë që ekipet kosovare do të mund të luajnë në kualifikuese për garat evropiane.  /Insajderi.com