Kombëtarja do të qëndrojë në Durrës. Ka qenë vendim i trajnerit Panucci që ka vendosur se skuadra të qëndrojë në kompleksin ku është grumbulluar, për të mos ndryshuar destinacion.
Italiani me skuadrën kanë vendosur që të mos largohen drejt Elbasanit.
Ai ka kërkuar që skuadra të qëndrojë në “Tropikal” dhe që sot të kryhet stërvitja e fundit para Uellsit pas mesditës.
Më tej, ekipi do të vijojë të jetë në kompleks dhe drejt Elbasanit, nisja do të bëhet vetëm disa orë para takimit, duke llogaritur mbërritjen në orarin e caktuar në “Elbasan Arena”.
Sot, sipas programit të vendosur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, është caktuar që të ketë konferencë në orën 14:00 dhe një orë më vonë të jetë edhe seanca e fundit stërvitore.
Dje, skuadra ka kryer një miniseancë stërvitore. Pas analizës së bërë, lojtarët që u aktivizuan ndaj Skocisë kanë bërë vetëm ushtrime të lehta.
Më tej, pjesa tjetër e ekipit ka zhvilluar stërvitje dhe një minindeshje me grupin që ka mbetur.