
“Air Albania” sonte do të jetë i mbushur me tifozët “kuq e zi” në një ndeshje historike që Shqipëria e zhvillon kundër Polonisë – rezultati i së cilës do të përcaktojë fatin e grupit “I” për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”.
Shqipëria pret Poloninë, në një takim “jetë o vdekje”, pasi kombëtarja shqiptare ka 15 pikë në vendin e dytë, ndërkaq Polonia një më pak; 14 sosh.

Kombëtarja Shqiptare
Vendi i dytë në grup dërgon në playoff – kështu Shqipëria do ta ketë mundësinë që me një “lëshim shpirti” në fushë të shkojë në një kampionat botërori – ku deri më tash s’ka luajtur kurrë.
Por, para se të realizohet ajo – sonte mbrojtja shqiptare duhet ta “blindojë” sulmuesin e rrezikshëm polak, Robert Lewandowski.
Shqipëria ditë më parë e mposhti Hungarinë në udhëtim me rezultat minimal.
Ajo fitore ishte më shumë se tri pikë për kombëtaren – pra një mobilizim për ta prekur ëndrrën: Katari 2022. /Insajderi.com