Shqipëria U-21 ka shënuar fitore minimale por shumë të rëndësishme në Prishtinë kundër Kosovës U-21, njofton Insajderi.
Golin e vetëm në këtë takim, e shënoi Çokaj në minutën e 35’ të takimit, duke realizuar me kokë pas rivënies nga këndi. Me rezultat minimal 0:1 për mysafirët u mbyll fraksoni i parë i ndeshjes.
Pjesa e dytë foli komplet në dobi të Kosovës, e cila disa herë iu afrua golit, por pa arritur të shënonin.
Rastin më të mirë për Kosovën e kishte Mustafa, ku nga afërsia goditi tërthorëzen, pasi kishte portën e zbrazët. E gjitha kjo ndodhi në minutën e 51’ të takimit.
Deri në fund Kosova u mundua të barazonte me sulme të shpeshta, ndërsa Shqipëria dilte përpara me anë të kundërsulmeve.
Pas 90’ minutave lojë, Shqipëria arkëton tre pikë shumë të rëndësishme, ku me këtë fitore i afrohet në vetëm një pikë vendit të dytë, që mbahet nga Austria. Në anën tjetër, Kosova ndodhet në vendin e pestë në grup me vetëm nëntë pikë.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan në transfertë te Turqia, ndërsa Shqipëria i shkon Anglisë. Ndeshjet zhvillohen me 17 nëntor. /Insajderi.com