Futbollisti lë Norvegjinë për Kosovën, por FFK nuk e ka kontaktuar

Futbollisti i lindur në Kosovë që luan për skuadrën norvegjeze Kristiansunds, Kamer Qaka është shprehur i gatshëm të lë Norvegjinë për përfaqësuesen e Kosovës. 21-vjeçari thotë se Federata e Futbollit të Kosovës nuk i ka bërë ende ftesë atij. 

Futbollisti lë Norvegjinë për Kosovën, por FFK nuk e ka kontaktuar

Kamer Qaka ishte emëruar lojtar i vitit në kategorinë e dytë të Norvegjisë stinorin e kaluar dhe më parë kishte përfaqësuar Norvegjinë në nivelet U-15, U-16 dhe U-17. Por ai nuk është ftuar nga përfaqësuesja U-21 e Norvegjisë.

Ai personalisht thotë se është ndjerë shumë i dëshpëruar për mungesën e një ftese nga Norvegjia U-21 dhe ka thënë se tani dëshiron të luajë për Kosovën.

“Unë me të vërtetë nuk e di pse nuk më kanë marrë [ tek Nrvegjia U-21 v.j]. Mund të jetë pse kam luajtur në kategorinë e dytë vitin e kaluar. Unë i njoh mirë shumë nga djemtë në ekipin kombëtar U-21 dhe e di se në çfarë niveli janë. Nuk e di se çfarë kanë ata që nuk kam unë”, thotë Qaka për mediumin norvegjez Nettavisen.

Tani, Qaka tregon që do të ndjekë hapat e lojtarëve si Bersant Celina dhe Valon Berisha, të cilët kishin mundësinë e përfaqësimit të Norvegjisë por zgjodhën vendlindjen, Kosovën.

“Unë me gjasë do të zgjedh të luaj për Kosovën. Me Federatën e Futbollit të Kosovës nuk kam pasur bisedime të drejtpërdrejta, por po përflitet që ata më duan mua. Nëse do të duhej të zgjidhja një shtet sot, do të ishte Kosova,” thotë ai.

Ai thotë se e kaluara e tij dhe ditët e këqija që kishte kaluar në adoleshencë kanë ngulitur në kokat e njerëzve një perceptim negativ për të, shkruan Nettavisen.

Sidoqoftë, ai tani po punon në atë drejtim që t’ua vërtetojë kritikëve që janë gabim në lidhje me personalitetin e tij.

Në vitin 2013, Qaka, atëherë 15-vjeçar, ishte cilësuar si njëri nga talentët më të mëdhenj të futbollit norvegjez.

Kosovari ishte futbollisti më i ri i cili kishte firmosur një kontratë profesionale me skuadrën e njohur norvegjeze Valerenga, dhe kishte shënuar gol në debutimin e tij për këtë skuadër.

Por rrethi jo i mirë i tij i shoqërisë e bëri të bënte zgjidhje të gabuara.

“Në vend se të ushtroja, dilja rrotull me shokë dhe huliganë. Bëja aq shumë gjëra të pakuptimta kur isha 15-16 vjeç. Është kjo ajo që shkatërroi gjithçka për mua, isha i ri dhe budalla,” tregon me sinqeritet Qaka 21-vjeçar.

Njerëzit rrotull thoshin “Kameri ka qëndrime të këqija”, duke mos e ditur se nëpër çfarë periudhe po kalonte ai.

Kameri kishte jetuar më shumë në rrugë pasi kishte ardhur nga Kosova në Oslo të Norvegjisë, dhe kur u kishte treguar bashkëlojtarëve dhe trajnerëve, ata në vend se ta merrnin si diçka shokuese, nuk kishin bërë asgjë për të ndihmuar situatën e tij.

Kjo rezultoi që Qaka të kthehej tek shoqëria e rrugës.

Tani kanë kaluar disa vite që nga adoleshenca dramatike e Kamer Qakës, dhe klubi ka bërë shumë ndryshime, thotë menaxheri i tanishëm i Kristiansunds, Thomas Hasselgren.

Tani të gjithë duan ta lënë të kaluarën e Qakës si histori, dhe të ecin para. /Insajderi.com