Shtëpia e Bardhë: Rusia duhet të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë

Shtëpia e Bardhë: Rusia duhet të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë

Rusia duhet të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë dhe të drejtën e popullit të saj për të zgjedhur udhëheqësit e tyre, tha të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany, njofton Insajderi.

Ajo u tha gazetarëve se udhëheqësit e ish-republikës sovjetike të Bjellorusisë duhet të dëgjojnë kërkesat e një numri të madh protestuesish, të cilët kanë akuzuar autoritetet në rrugë për tri javë për manipulimin e zgjedhjeve.

“Numri i madh i bjellorusëve që protestojnë në mënyrë paqësore e bën të qartë se qeveria nuk mund të injorojë më vullnetin e popullit për demokraci dhe Rusia duhet gjithashtu të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë dhe të drejtën e popullit të saj për të zgjedhur liderët e tyre lirshëm dhe drejt,” tha McEnany.

Zëvendës sekretari i Shtetit Stephen Biegun tha javën e kaluar se ndërhyrja ushtarake ruse në Bjellorusi do të ishte “shumë e padëshirueshme”, por shtoi se Uashingtoni nuk ka informacion se plane të tilla ekzistojnë.

Protestat dhe grevat kanë vazhduar për javë të tëra që kur Alexander Lukashenko fitoi zgjedhjet e 9 gushtit me 80 për qind të votave që kundërshtarët thonë se ishin të manipuluar dhe ai mohon akuzat dhe akuzon protestuesit për dëshirën e rrëzimit të tij të udhëhequr nga Perëndimi.

Bjellorusia është aleati më i afërt i Rusisë nga të gjitha shtetet dhe territoret e ish-Bashkimit Sovjetik. Në një mesazh të fortë mbështetje, Vladimir Putin tha të enjten e kaluar se ai kishte ngritur një forcë policore rezervë që mund t’i vinte në ndihmë Lukashenkos nëse trazirat në vend dilnin jashtë kontrollit.

Biegun i bëri thirrje Minsk që të pranojë ndërmjetësimin nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

McEnany tha se zyrtarët amerikanë po monitorojnë nga afër zhvillimet në Bjellorusi dhe mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për të rishikuar pretendimet për parregullsi zgjedhore, shkelje të të drejtave të njeriut dhe goditje të qeverisë për protesta paqësore.

Opozita e udhëhequr nga Svetlana Tihanovska, kandidate e opozitës në zgjedhje, e cila iku në Lituani për shkak të kërcënimeve, organizoi dy protesta të mëdha më 16 dhe 23 gusht, të cilat u shtypën me forcë, me tre të vrarë e dhjetëra të plagosur dhe mbi 7.000 protestues të arrestuar./Insajderi.com