Shteti i Victoria-s në Australi njofton bllokimin pesë ditor shkaku i rritjes së rasteve me Coronavirus

Shteti i Victoria-s në Australi njofton bllokimin pesë ditor shkaku i rritjes së rasteve me Coronavirus

Shteti Victoria i Australisë ka njoftuar një bllokim  pesë ditor në mbarë vendin mes numrit në rritje të rasteve të Coronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Insajderi.

Në një deklaratë me shkrim, kryeministri i shtetit Victoria, Daniel Andrews, njoftoi se në 24 orët e kaluar gjithsej pesë raste të reja me COVID-19 janë identifikuar në shtetin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai njoftoi se pas këshillës së ekspertëve të shëndetit publik, e gjithë Victoria do të kalojë në bllokim nga sonte në ora 11:59 deri pasditen e të mërkurës në ora 11:59.

“Ky është një bllokim afatshkurtër dhe i fortë, i njëjti që kemi parë në shtetet Queensland dhe WA, që do të na japë atë që na duhet për të marrë kontrollin e këtij virusi që lëviz shpejt”, tha Andrews.

Deri më tani, Victoria ka raportuar 13 raste të lidhura me shpërthimin në hotelin ‘Holiday Inn Melbourne Airport’, ku rasti i parë pozitiv u identifikua të martën tek një grua udhëtare pasi qëndroi në një karantinë të detyrueshme 14-ditore.

Autoritetet thanë se kanë identifikuar 905 kontakte të ngushta të pacientëve.

“Do të ketë vetëm katër arsye për t’u larguar nga shtëpitë e juaja, respektivisht blerja e gjërave që ju duhen, kujdesi dhe përkujdesja, ushtrimet fizike dhe puna nëse është thelbësore”, tha Andrews.

Autoritetet po ashtu ndaluan shkuarjen e mysafirëve nëpër shtëpi dhe tubimet publike në të gjithë shtetin.

“Ashtu si me kufizimet e ‘fazës 4’, të gjitha shitjet jo-thelbësore me pakicë do të mbyllen, por dyqanet thelbësore si supermarketet dhe farmacitë do të qëndrojnë të hapura. Kafenetë dhe restorantet do të jenë në gjendje të ofrojnë vetëm shërbime për me vete”, njoftoi Andrews.

Victoria është shteti më i prekur nga pandemia në Australi, me 20.460 raste dhe 820 vdekje të raportuara deri më tani. /Insajderi.com