Shuhen shpresat për rikthim, dy boksierët shqiptarë mbeten në Angli

Shuhen shpresat për rikthim, dy boksierët shqiptarë mbeten në Angli

Krenar dhe Rexhildo Zeneli, qysh prej 13 marsit ndodhen në Britaninë e Madhe, aty ku me shpenzimet e veta përfaqësuan Shqipërinë në kampionatin e boksit që u ndërpre për shkak të Covid-19.

Djem xhaxhallarësh, dy sportistët janë shprehur edhe më herët se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga shteti dhe se shkuan në këtë kompeticion me shpenzimet e tyre.

Tani që kampionati i boksit është ndërprerë, dy të rinjtë vijojnë të qëndrojnë në shtetin britanik, duke iu refuzuar riatdhesimi për të katërtën herë.

Qeveria shqiptare, në këto ditë të vështira po kthen një numër të madh njerëzish të mbetur jashtë atdheut, ndërsa shpresat për rikthimin e dy sportistëve që i fituan ndeshjet e para në boks, i shuan zëvendësministri i jashtëm.

Agron Tare, në një bisedë për “Opinion” vuri theksin se sot në datën 31 mars përfundon kthimi i shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit, ndërsa theksi do të vendoset te studentët dhe personat që nuk kanë një strehë. Kështu, dy sportistët ende nuk po gjejnë një zgjidhje për rikthimin në atdhe.