Nesër pritet që për herë të shtatë të votohet në parim Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Nëse ky projektligj arrin të merr votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të parandalojë thellimin e krizës ekonomike në vend. Votimi i kësaj pakoje do të ishte ndihmesë për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe për bizneset sa i përket pagesave të punëtorëve. Si një ndër shqetësimet më të mëdha për mosvotimin e këtij projektligji, tërheqja e mjeteve të Trustit Pensional edhe pse do të ndikojë në zvogëlimin e pensioneve të ardhshme, konsiderohet se efekti i dëmit të tij është i vogël, pasi që qytetarët mund t'i rikuperojnë këto mjete.
Me vetëm 58 vota pro, koalicioni qeverisës LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet kanë dështuar për të gjashtën herë të miratojnë Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike, ndërsa pritet që të hënën e 12 tetorit të votohet ky Projektligj në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, me vonimin e votimit të këtij projektligji nga të zgjedhurit e popullit, konsiderohet se po thellohet edhe kriza ekonomike.
Hulumtuesi i lartë i Institutit GAP, Blend Hyseni, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se ky Projektligj duhet të votohet sa më shpejt, në mënyrë që kjo krizë ekonomike të mos kalojë në etapa më të rënda.
Sipas tij, Pakoja e Rimëkëmbjes do të ishte një ndihmesë e madhe për ekonomi, edhe pse Qeveria e Kosovës ka disa alternativa për të parandaluar atë, meqë tashmë e ka buxhetin e rishikuar, ku kanë rënë shpenzimet kapitale dhe janë rritur transferet dhe pagesat për paga, është votuar rritja e dificitit buxhetor përtej normës që është lejuar me ligj, si dhe ka kreditë që i ka marrë disa borxhe të brendshme dhe të jashtme.
“Normalisht që mosvotimi i kësaj Pakoje e thellon krizën, mirëpo edhe vonesa e votimit të saj e thellon, pasi që prodhimi që nuk ndodhë sot nuk mund të ndodhë neser, prandaj është mirë të votohet sa më shpejtë, ne vetëm se jemi vonë, në anën tjetër edhe Qeveria momentalisht i ka disa alternativa në dorë, p.sh., e ka buxhetin e rishikuar ku kanë rënë shpenzimet kapitale dhe janë rritur transferet edhe pagesat për paga, mandej është votuar rritja e deficitit buxhetor përtej normës që është lejuar me ligj. D.m.th., i ka kreditë që i ka marrë disa borxhe të brendshme dhe të jashtme, por Pakoja e Rimëkëmbjes do të ishte një ndihmesë ekstra për ekonomi”, ka thënë ai.
Hyseni tutje ka përmendur edhe përparësitë kryesore që mund të paraqiten në rast se kalon ky Projektligj.
Sipas tij, ndër këto përparësi është ndihmesa që do t’i bëhet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku do të garantohen kreditë prej 50 deri në 80% dhe do të hiqet kosto e jepjes së kredisë, e që barrën do të marrë shteti.
“Kreditë e reja kanë pësuar rënie, prandaj në këtë fazë është mirë të stimulohen bizneset përmes kredive të reja dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore e mundëson dhënien e kredive të reja për shkak që 80% të rrezikut e merr shteti në qoftëse individët e caktuar nuk e kthejnë kredinë. Pra, bankat nuk po lëshojnë kredi për shkak të situatës së krizës që është si dhe e rrezikshmërisë, dhe me këtë fond mundësohet një gjë e tillë”.
“Të gjitha partitë opozitare janë pajtuar, mirëpo arsyeja pse nuk e kanë votuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike ka qenë kryesisht për shkak të Fondit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, si dhe çështja e 10-përqindëshit të Trustit. Përparësi mendoj se është, tashmë jemi vonë për të stimuluar ekonominë, kështu që kurdo që votohet ky projektligj, Qeveria do t’i ketë duart më të lira për të shpenzuar dhe për të stimuluar më shumë ekonominë edhe përmes rritjes së shpenzimeve publike, edhe përmes këtij fondit Kosovar për Garanci Kreditore, poashtu mund të pritet edhe një rritje e kërkesës agregate nëse kalon projektligji, pasi që qytetarët mund të marrin edhe mjete nga Trusti, dhe ato mjete më pas nëse shpenzohen menjëherë në ekonomi, mund të rrisin kërkesën agregate. E kemi parë që edhe kërkesa agregate ka rënë për shkak se depozitat në banka janë rritur, muajin e fundit për herë të parë e ka arritur katër miliardëshin”, ka thënë Hyseni.
Ai tutje e pohoi se tërheqja e mjeteve të Trustit Pensional mund të ndikojë në zvogëlimin e pensioneve të ardhshme, gjë që Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte vlerësuar se përveç zvogëlimit të pensioneve do të kufizojë edhe madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit.
“Ndikon pasi që po tërhiqen tani, mirëpo ekziston mundësia që ato të rikuperohen duke kontribuuar në Trust përtej normës obligative. Është mirë që nëse tërhiqen ato mjete, më vonë të bëhet një kampanjë e edukimit financiar që qytetarët t’i rikuperojnë ato, në mënyrë që të kenë fonde të kursimeve për pension. Pra, ndikon por efekti i tyre është i vogël pasi që mosha mesatare e kontributdhënësve në Trust është 40 vjet. Dëmi është i vogël, por është i shpërndarë ndër vite dhe mjetet që janë të kursyera në Trusrt janë të pamjaftueshme për pension, prandaj është mirë që përveç tërheqjes së 10-përqindëshit, më vonë të fillohet me një kampanjë edukative nga BQK-ja që njerëzit të kursejnë ose në Trust ose nëpër fondet tjera private për periudhën e pensionit”, tha tutje Hyseni.
Hulumtuesi i Institutit GAP, tutje shprehet se Pakoja e cila pritet të votohet nga Kuvendi i Kosovës, mund të jetë një lehtësim nga shteti për bizneset, sa i përket pagesave të punëtorëve, për të cilat jep një sqarim.
“Me Projektligjin e Rimëkëmbjes është edhe dyfishimi i subvencioneve dhe kjo i rritë të hyrat për bujqit, si dhe lehtësimi nga ana e shtetit për bizneset sa i përket pagesave të punëtorëve. Pra, kjo është pagesë për bizneset e jo për punëtorë. Pagesa do të iu takojë bizneseve në bazë të numrit të punëtorëve që i kanë dhe këto janë të hyra për biznesin. Pra, janë disa ndihmesa që do t’i ndihmojnë kryesisht bizneseve, (sektorit privat), kështu që mbetet të shihet a do të kalojë kjo Pako të hënën. Jemi vonë dhe kriza ekonomike do të jetë më e rëndë”, ka thënë Hyseni.
Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se parasheh një rënie ekonomike për sivjet 7.5 përqind.
“Në frontin ekonomik, BPV reale parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021.1 Rënia e rritjes në shtetet ku kemi prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t’i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020. Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar”, thuhet në raportin e publikuar nga ky fond.
Ndërsa, për mjetet e kursimeve pensionale që parashihet tërheqja e 10 përqind me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, FMN vlerëson se zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit.
“Përpjekja e jashtëzakonshme fiskale për vitet 2020 – 2021 duhet të ankorohet me veprime të besueshme konsolidimi, sapo të jetë stabilizuar rimëkëmbja ekonomike. Për t’u përgatitur për këtë, nevojitet një strategji e qartë komunikimi që nxjerr në pah natyrën e përkohshme të këtyre pagesave shtesë dhe transfereve aktuale. Për më tepër, duhet zbatuar reformat për rifokusimin e shpenzimeve sociale për të mbrojtur personat më të cenueshëm. Duhet të shmanget krijimi i përfitimeve pensionale shtesë, mbi skemat ekzistuese, pa një analizë të qëndrueshmërisë aktuariale të përfitimeve ekzistuese. Gjithashtu, tërheqja e propozuar e 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) minon Shtyllën 2, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”, thuhet në raportin përmbyllje të vizitës së misionit të FMN-së, i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, që zhvilloi një vizitë virtuale nga 23 shtator deri më 7 tetor në Kosovë. /Insajderi.com