Si i tradhtoi Agim Bahtiri punëtorët që po iu shkelën të drejtat nga bizneset?

Si i tradhtoi Agim Bahtiri punëtorët që po iu shkelën të drejtat nga bizneset?

Për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve dhe nevojës së qytetarëve për nevojat e konsumit, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, thotë se u ka dhënë leje bizneseve në Mitrovicë të punojnë edhe të dielën, shkruan Insajderi.

Ai, këtë vendim e ka marrë para dy ditësh gjatë takimit me përfaqësuesit e bizneseve në këtë qytet, duke tradhtuar punëtorët për të cilët thoshte se po i mbron nga shkelja e të drejtave të tyre.

Bahtiri, muaj më parë kishte marrë vendim se asnjë biznes nuk do të punojë ditën e diel, me qëllim që  punëtorët të kenë një ditë pushimi ku mund të kalojnë kohën me familjet e tyre dhe të kenë një trajtim më të mirë.

Mirëpo, kryetari i Mitrovicës, shkeli premtimin e vet ndonëse ka thënë se leja do të jetë e përkohshme deri në një vendim të përbashkët me përfaqësuesit e bizneseve.

Agim Bahtiri, insistonte që e diela në Mitrovicë të ishte ditë pushimi për punëtorët. Madje ai në mbledhje të Bordit të Drejtorëve të kësaj Komune, e lavdëronte punën e drejtorit të Inspeksionit Hysni Ahmeti, për punën që ka bërë në lidhje me mbylljen e bizneseve të cilat nuk e kanë respektuar këtë vendim. / Insajderi.com