Si pasojë e stuhisë vdesin shtatë persona dhe dhjetëra të lënduar

Si pasojë e stuhisë vdesin shtatë persona dhe dhjetëra të lënduar

Stuhia që kaploi gadishullin turistik të Halkidisë la të vdekur shtatë persona, dhjetëra të plagosur dhe dëme të pallogaritshme.

 

Një djalë 8 vjeç nga Rumania dhe një grua gjithashtu nga Rumania, humbën jetën kur si pasojë e erërave të fuqishme u shemb dhe u zuri nën vete streha e tavernës ku po darkonin.

 

Një çift të moshuarish nga Çekia gjithashtu vdiqën kur kamperi i tyre u përmbys nga stuhia. Bashkë me ta ndodhej dhe i biri dhe nipi 18 vjeç, që u plagosën dhe u dërguan në spital.

Një shtetas rus 39 vjeç dhe djali i tij me moshë 2 vjeç, u goditën nga një pemë pranë hotelit ku po qëndronin.

Mesditën e të enjtes televizioni publik njoftoi se një trup pa jetë u gjet në det, 6 milje larg bregut.

Nuk dihet nëse kufoma i përket një 62-vjeçari, që u nis për peshkim me varkën e vet pasditen e të mërkurës dhe që atëherë nuk ka dhënë shenja jete.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, me mesazhe në rrjetet sociale, shprehu ngushëllimet për viktimat. Ai gjithashtu njoftoi se Ministria e Jashtme po kontakton me autoritetet diplomatike të vendeve të tjera, për identifikimin e viktimave dhe trajtimin e të plagosurve që janë shtetas të vendeve përkatëse.

Për shkak të stuhisë, 80% e zonës ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa edhe komunikacioni rrugor ka probleme prej pemëve që kanë rënë mbi asfalt.

Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në kulturat bujqësore si ullinj, fistikë dhe fruta-perime të stinës.

Prefektura e Halkidikisë është shpallur në gjendje emergjence.