Skuadra nga kryeqyteti, Sigal Prishtina, ka mposhtur në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll, skuadrën nga Prizreni, Bashkimin me rezultat të ngushtë 74:73, njofton Insajderi.
Në finalen e zhvilluar në palestrën “Karagaçi” të Pejës, ndeshja kishte një fund dramatik, ku vetëm në sekondat e fundit prishtinasit kaluan në epërsi, të cilën nuk e arriti skuadra nga Prizreni.
Më efikasi në këtë takim ishte Arian Qallaku me 22 pikë dhe Altin Morina me 19 pikë, ndërsa te Bashkimi koshashënuesi më i mirë ishte Musab Mala me 19 pikë.
Pikët vendimtare për Prishtinën i shënoi kapiteni veteran Edmond Azemi, ku me një gjakftohtësi shënoi dy pikët e epërsisë, kështu duke ia siguruar një trofe tjetër skuadrës së tij. /Insajderi.com