Sistemi i garave në Euro 2016 favorizon edhe Shqipërinë

Sistemi i garave në Euro 2016 favorizon edhe Shqipërinë

Ndërrimi i sistemit të garave para fillimit të kampionatit evropian dhe shtimi i numrit të skuadrave kombëtare në këtë ngjarje të madhe të futbollit, do ta favorizojë edhe kombëtaren shqiptare të futbollit që mund të kalojë grupet me më pak vështirësi.

Me sistemin e ri të garave në kampionate evropiane, i cili do aplikohet për herë të parë në Euro 2016 në Francë – nga 24 skuadra pjesëmarrëse, 16 prej tyre kalojnë tutje nga faza e grupeve – favorizon edhe kombëtaren shqiptare, raporton Insajderi.

Me këtë format të ri të Euro 2016, kombëtares shqiptare do t’i mjaftonte një fitore për të kaluar fazën e parë të grupeve në Francë. Nëse e vëmë në lojë edhe matematikën, atëherë mundësitë janë që grupi të kalohet qoftë edhe me një pikë të vetme – gjithmonë duke marrë parasysh rezultatet nga grupet e tjera.

Më parë në kampionate evropiane kanë marrë pjesë vetëm 16 skuadra, ndërsa nga grupet kanë kaluar vetëm dy vendet e para.

Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë ndaj Zvicrës në Lens, ndërsa në të dytën sfidon skuadrën nikoqire Francën në Marsielle, ndërsa krejt në fund ndeshjen – ndoshta ndeshjen më të rëndësishme – e zhvillon ndaj Rumanisë në Lyon.

Mbrëmë kombëtarja shqiptare humbi ndaj Ukrainës me rezultat 3-1. Pavarësisht kësaj, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të mirë. /Insajderi.com