Situata e tensionuar me Iranin

Irani e ka cilësuar si armiqësor dhe provokues propozimin evropian për të krijuar një flotë që shoqëron cisternat e naftës në Gjirin e Hormuzit.

Situata e tensionuar me Iranin

Autoritetet iraniane shprehen se një masë e tillë do të shkallëzojë më tej situatën tashmë të tensionuar në Gjirin Persik. Situata është mjaft e ngarkuar, pasi Irani po mban një qëndrim gjithnjë e më agresiv në Gjirin e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm global i transportit detar. Pasi forca speciale iraniane këtë muaj morën nën kontroll një tanker që lundronte nën flamurin britanik, Londra reagoi duke bërë thirrje për bashkëpunim mes evropianëve për të mbrojtur mjetet e lundrimit. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë propozuar masa të ngjashme gjatë javëve të fundit. Qëndrimet armiqësore të autoriteteve në Teheran kanë nxitur reagime edhe të komuniteteve emigrante iraniane. Dje një grup aktivistësh ishin mbledhur në Londër me thirrjet për masa më të forta ndëshkuese ndaj Teheranit:

Një grup iranianësh që jetojnë në Britani u tubuan në qendër të Londrës të shtunën me thirrjet për sanksione më të rrepta ndaj Iranit.

Përmes një deklarate grupi iranian i kërkoi qeverisë britanike që të cilësojnë Rojën Revolucionare Iraniane, Ministrinë Iraniane të Zbulimit dhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei si subjekte terroriste.

Tensionet janë shtuar ndërsa Irani është bërë gjithnjë e më agresiv në Ngushticën e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për transportin global detar që kalon pranë ujërave territoriale të Iranit.

Në fillim të muajit njësi të Rojës Revolucionare Iraniane përdorën helikopterë dhe anije të vogla për të marrë nën kontroll një anije cisternë që lundronte nën flamurin britanik në Ngushticën e Hormuzit.