S’ka paqe mes Japonisë e Rusisë

S’ka paqe mes Japonisë e Rusisë

Takimi i katërt i mbajtur në kuadër të negociatave për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Japonisë ka përfunduar sërish pa sukses.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, ministri i Jashtëm i Japonisë, Taro Kono dhe ministri japonez i Mbrojtjes, Takeshi Iwaya janë takuar në Tokio në formatin e takimit 2+2”.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, ministri i Jashtëm japonez, Taro Kono, ka bërë të ditur se Tokio ka reaguar ndaj pranisë së njësive ushtarake ruse në ishujt të cilët Rusia i emërton “ishujt Kuril” dhe Japonia “rajonet veriore”.

“Nga pikëpamja ligjore është e papranueshme për ne që Rusia të rritë njësitë ushtarake në Territoret Veriore”, tha Kono.

Ndërsa ministri rus Lavrov ka bërë të ditur se “homologu i tij Kono ka shprehur shqetësimet e tij për aktivitetet e Rusisë në ishuj”.

“Në përgjigje të kësaj theksuam qëndrimin tonë, forcat e armatosura ruse po veprojnë në territorin e tyre sovran në bazë të ligjeve ndërkombëtare”, tha Lavrov.

“Përfaqësuesit rusë dhe japonezë diskutuan çështje delikate në negociatat që ishin konstruktive dhe gjithashtu jemi dakorduar për zhvillimin e një takimi të ri në Moskë në formatin 2 + 2”, shtoi Lavrov.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Rusia dhe Japonia nuk mundën të nënshkruajnë marrëveshje zyrtare të paqes për shkak të mosmarrëveshjes në lidhje me pjesët territoriale që Rusia i quan ishuj Kuril, ndërsa Japonia territoret veriore, përcjell Atsh.

Vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe ranë dakord të rrisin negociatat mbi një marrëveshje paqeje në bazë të deklaratës së përbashkët të vitit 1956.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov dhe homologu i tij japonez, Kono, brenda këtij viti janë takuar tre herë në kuadër të negociatave ruso-japoneze.