Skema kriminale – kidnapimi i studentëve kinezë i shndërruar në biznes milionësh

Skema kriminale – kidnapimi i studentëve kinezë i shndërruar në biznes milionësh

Studentët kinezë në Sidnej të Australisë janë shndërruar në target të kidnapuesve të cilët me anë të një skeme kriminale po i marrin ata dhe më pas po kërkojnë shuma të mëdha parash për kthimin e tyre, njoftohet nga policia e Australisë, shkruan BBC, njofton Insajderi.

Në shumë raste, studentët janë xhiruar dhe janë detyruar që të rrëfehen për kidnapimin e tyre e më pas t’ua dërgojnë videot të afërmve në Kinë duke kërkuar para.

Tetë “kidnapime virtuale” janë raportuar vetëm këtë vit, duke përfshirë një ku kërkoheshin mbi një milionë euro për ta shpëtuar.

Policia ka thënë se skema është rritur sidomos gjatë këtij viti dhe është shndërruar në “krim industrial”.

Si funksionon skema e krimit?

Autoritet thonë se telefonatat janë bërë nga vende të cilat nuk e ndjekin origjinën e sinjalit prandaj ka qenë e vështirë të dihet se nga po bëhen telefonatat.

Zakonisht është një person që pretendon të jetë punëtor i ambasadës kineze, i cili i thërret studentët dhe u thotë se emri i tyre është implikuar në një krim që ka ndodhur në Kinë, ose se janë në ndonjë rrezik të caktuar.

Më pas mashtruesi, i cili flet kryesisht në dialektin mandarin të gjuhës kineze, u kërkon studentëve të bëjnë pagesa të caktuara kinse për ta shmangur arrestimin apo deportimin.

Në disa raste, studentët binden që të vënë kontakt me familjarët e tyre në Kinë. E marrin një dhomë me qira dhe krijojnë situata të pengmarrjes duke u kërkuar më pas para familjarëve.

Në një rast, një baba i një studenteje ka paguar mbi një milionë euro me rata.

Më pas atij i ishte dërguar një video e vajzës së tij të lidhur dhe në kushte pengmarrjeje.

Kur kishte kontaktuar policinë në Australi, ata kishin filluar kërkimin dhe më pas e kishin gjetur vajzën shëndosh e mirë në një hotel.

Ka raste kur janë paguar nga 20 mijë deri në 300 mijë euro nga familjarët për fëmijët e tyre.

Policia njofton se sa herë ka gjetur viktimat e këtyre rasteve, i ka gjetur shëndosh e mirë.

Ato ishin liruar menjëherë pasi ishin dërguar paratë. Ndërsa nuk ishte raportuar as krimi i ndodhur, siç thotë policia pas viktimave u kishte ardhur “turp për çfarë ka ndodhur”./Insajderi.com

Police-supplied image of a woman wearing a ripped shirt bound in a staged kidnap