Slavoj Zizek pesimist për “Fenomenin Macron”

Slavoj Zizek pesimist për “Fenomenin Macron”

Një ditë pas fitores së Emanuel Macon në zgjedhjet presidenciale në Francë, filozofi i famshëm slloven Slavoj Zizek ka reaguar ashpër duke thenë se “Macron simbolizon atë që është e gabimtë me Europën”, dhe se “ai ishte kandidati i frikës ndaj Le Pen”.

Sipas tij, asnjëri kandidat në këtë garë nuk kishte “vizion pozitiv”.

Filozofi dhe kritiku kulturor ka thënë se ndonëse nuk ishte i kënaqur me idetë e të dy kandidatëve, ata që kanë votuar kundër Macron “janë shpresa e vetme” për Francën, sepse përfaqësojnë njerëzit që “nuk iu kanë nënshtruar shantazhit liberal: ‘Tash gjërat janë serioze. Le të bashkohemi të gjithë me Macron’”.

“Këta njerëz thanë: Jo. Na vjen keq. Çfarëdo që të jetë, ne nuk jemi në gjendje ta luajmë këtë lojë të kërcënimit fashist dhe politikës, që e ushqen këtë kërcënim fashist”, ka thënë Zizek, njofton Klan Kosova.

Sipas filozofit, i ashtuquajturi “shantazh” ka përfshirë edhe ballinën e gazetës Liberation, e cila e ka botuar titullin e madh: “Bëni çka t’bëni, Macronin votojeni ”.

“A nuk është kjo esenca e asaj në çfarë po shndërrohet bota e sotme? E keni gjithë lirinë që ju duhet, por vetëm nëse e bëni vendimin e duhur. Pikërisht kjo është formula përse demokracia jonë po bëhet përherë e më shumë e pakuptimtë. Duket se mediat po i bëjnë përzgjedhjet në vend të popullit”.

Për Zizekun, problemi më i madh me të dy kandidatët ka qenë mungesa e “vizionit pozitiv” për gjendjen në Francë, prandaj në fund të dy kandidatët u bënë “kandidatë të frikës”.

“Qartësisht, Marine Le Pen ishte kandidate e frikës – frikës nga emigrantët, frikës nga e jashtmja, nga kapitalizmi financiar dhe kështu me radhë. Por, edhe Macron ishte po ashtu kandidat i frikës – frikës nga Le Pen. Macron fitoi jo për shkak të asaj që është, por për arsye se ishte anti Le Pen”, ka deklaruar Zizek.

“Jemi të kapur në këtë rreth vicioz. Macron nënkupton vazhdim të zakonshmërisë. Por, është pikërisht kjo vazhdimësi e zakonshmërisë faktori i cili do t’i japë fuqi të re Marine Le Pen. Kjo punë kërkon kohë. Ajo mund të presë. Një palë zgjedhje, dy palë zgjedhje, tri palë zgjedhje. Në fund, ajo mund të fitojë”, ka thënë ai. /Insajderi.com