Sonte mund të ndodhin sulmet raketore amerikane në Siri

Sonte mund të ndodhin sulmet raketore amerikane në Siri

Mediat ndërkombëtare raportojnë se sonte SHBA dhe aleatët e saj mund të kryejnë sulme raketore në Siri. Raportohet se Britania ka vënë në gatishmëri mjetet e saj dhe vetëm pritet një konfirmim nga Uashingtoni dhe Londra.

Vijon përplasja me tone të ashpra mes Moskës dhe Uashingtonit për Sirinë. SHBA thotë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë” në kundërpërgjigje për sulmin e dyshuar me armë kimike në një qytet të Gutës Lindore, ndërsa liderët perëndimorë vazhdojnë të mbështesin ndërhyrjen ushtarake, transmeton abcnews raportimet e medieve perëndimore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders njoftoi se akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me bombardimet në Siri. Gjithashtu ripërsëriti se SHBA bën përgjegjëse Rusinë dhe regjimin e Assad për sulmin e dyshuar me armë kimike, ku humben jetën rreth 100 civilë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një sulm ushtarak me raketa nga ana e SHBA dhe aleatëve të saj kundër vendndodhjeve të ushtrisë siriane mund të ndodhë në mbrëmjen mes të enjtes dhe të premtes. “Daily Telegraph” raporton se kryeministrja britanike Theresa May ka urdhëruar nëndetëset që të mbërrijnë në një pozicion që u lejon atyre lëshimin e raketave “Tomahawk” për të goditur Sirinë.

Ndërsa gjithçka është në gatishmëri, pritet vetëm një konfirmim nga ana e presidentit amerikan Donald Trump. Konfirmim i cili mund të vijë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve. Gjithashtu edhe kryeministrja britanike ka thirrur një mbledhje të kabinetit që të marrë konfirmimin e ndërhyrjes në Siri.

Këto zhvillime vijnë pas kërcënimeve të ashpëra mes Moskës dhe Uashingtonit. Rusia fillimisht kërcënoi se do të rrëzojë çdo raketë amerikane që do të drejtohet për në Siri. Ndërsa presidenti Trump u përgjigj duke thënë se Kremlini duhet të bëhet gati pasi raketat do të vijnë. Vendet perëndimore akuzojnë regjimin e Assad se qëndron pas sulmit të dyshuar me armë kimike. Kurse Rusia, Irani dhe qeveria Siriane pretendojnë se ky ishte një sulm I fabrikuar për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake.