Sot fillon rihapja e një pjese të dyqaneve në Austri

Sot fillon rihapja e një pjese të dyqaneve në Austri

Austria do të rihapë një pjesë të dyqaneve duke filluar nga dita e martë si pjesë e nismës për lehtësimin e masave të izolimit, të cilat ishin marrë për ta luftuar përhapjen e koronavirusit.

Qendrat për produkte të kopshtit, dyqanet me vetëshërbim dhe dyqanet e vogla do të jenë të parat që do të hapen si pjesë e planit për ta riaktivizuar ekonominë në vendin e Evropës Qendrore.

Megjithatë, rregullat e rrepta për distancim social do të vazhdojnë të mbeten në fuqi, ndërsa nga autoritetet është kërkuar që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe banesa sa më shumë që është e mundur.

Austria madje e ka bërë të detyrueshme vendosjen e maskës për ata që shkojnë në dyqane dhe barnatore, shkruan “BBC”.

Ky nuk është shteti i vetëm që ka filluar t’i zbusë masat e izolimit. Spanja gjithashtu i ka lejuar punëtorët e disa sektorëve që ta rifillojnë punën, ndërsa Danimarka i ka hapur shkollat për klasat e ulëta.

Italia, që është shteti më i goditur nga koronavirusi me mbi 20 mijë viktima, gjithashtu do ta lejojë rifillimin e punës së disa bizneseve nga sot.

Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka zgjatur masat e izolimit për katër javët e ardhshme deri më 11 maj.