Spanja dhe Italia, dy vatrat e virusit në Evropë

Spanja dhe Italia, dy vatrat e virusit në Evropë

Italia dhe Spanja eklipsojnë Kinën për nga numri i viktimave të koronavirusit. Këtë herë është Spanja që kapërceu edhe Italinë për nga numri ditor i viktimave. 738 pacientë ndërruan jetë këtë të mërkurë në gjithë vendin, niveli më i lartë që prej nisjes së përhapjes së koronavirusit. Spanja numëron tashmë 3434 viktima në total.

Të infektuarit numërohen mbi 4760, një rritje me 20% brenda një dite. Spitalet në gjithë vendin po punojnë mbi kapacitetet. Autoritetet spanjolle u kërkuan aleatëve të NATO-s ndihma logjistike si tamponë, ventilatorë dhe kostume mbrojtëse për t’i bërë ballë dyndjes së të infektuarve.

Ndërsa në Itali ndërruan jetë 683 pacientë në një ditë, një shifër më e ulët se të martën që e çon numrin e përgjithshëm të tyre në mbii 7500. Shpresë po jep rënia e qëndrueshme e numrit ditor të të infektuarve që këtë të mërkurë ishte 3491, 121 më pak se një ditë më parë. Në total numri i të infektuarve ka arritur në mbi 57500. E kënaqshme është edhe shifra e të shëruarve që ka arritur në afro 9400.

Në konferencën për shtyp ku u njoftuan shifrat më të fundit, nuk ishte i pranishëm kreu i Emergjencave Civile Anxhelo Borreli. Më herët ai njoftoi se gjatë kësaj të mërkure kishte pasur temperaturë të lartë dhe u vetëizolua në karantinë në pritje të përgjigjeve të testeve për koronavirusin.

Kina tashmë renditet në vendin e tretë në botë për nga numri i viktimave. Në vatrën e pandemisë globale numërohen 3285 të vdekur. Të infektuarit prej filimit të përhapjes janë mbi 81 mijë, por 96.4% e tyre tashmë janë shëruar.

Në Greqi, numri i viktimave ka arritur në 22, ndërsa ai i të prekurve në 821, përfshirë edhe 78 të infektuar të tjerë që iu shtuan listave këtë të mërkurë.

Në gjithë globin përllogariten afro 19.800 të vdekur dhe mbi 441 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes, 25% e të cilëve tashmë janë shëruar.