
Autoritetet e Sri-Lankës kanë bërë thirrje për të gjithë qytetarët që t’i dorëzojnë shpatat dhe thikat e mëdha në kohën kur shteti i ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë për shkak të sulmeve vdekjeprurës në kisha dhe hotele gjatë Pashkëve.
Megjithatë, policia njoftoi se thikat që përdoren për nevojat e përditshme nuk duhet të dorëzohen nga qytetarët. Qindra armë janë konfiskuar nga autoritetet gjatë operacioneve të kërkimit pas sulmeve të 21 prillit.
Më shumë se 250 njerëz u vranë gjatë shpërthimeve të organizuara me bomba, të cilat ndodhën në dy kisha dhe në disa hotele luksoze.
Përpos armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, zëdhënësi i policisë bëri thirrje që populli t’i dorëzojë edhe rrobat që janë të ngjashme me uniformat e policisë dhe ushtrisë. Ky aksion është planifikuar të kryhet vetëm gjatë fundjavës.
Zëdhënësi i policisë, Ruwan Gunasekara, nuk konfirmoi nëse do të amnistohen personat që i dorëzojnë armët. Kjo thirrje erdhi në kohën kur hetimet për sulmet e prillit po vazhdojnë.
Presidenti i Sri-Lankës, Maithripala Sirisena, tha se 25 deri 30 persona të lidhur me sulmet e muajit të kaluar ndodhen ende në arrati, shkruan “BBC”.