Studiues të ekonomisë: Rritja ekonomike në Shqipëri do tkurret

Studiues të ekonomisë: Rritja ekonomike në Shqipëri do tkurret

Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve.

Kështu i përshkruajnë me pak fjalë zhvillimet ekonomike të vendit studiues të ekonomisë. Studiuesit pohojnë se thatësira e sivjetme nxori zbuluar brishtësinë e ekonomisë shqiptare, sepse rritja e vjetshme ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike, shkruan Zeri i Amerikes.

“Nëse rritja ekonomike udhëhiqet vetëm nga sektori i energjisë elektrike, kur i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është krejtësisht në dorë të tekave të natyrës, atëherë ne nuk kontrollojmë dot dhe nuk jemi në gjendje të projektojmë zhvillimet ekonomike të vitit. Kjo brishtësi është një nga problemet serioze që ka ekonomia e Shqipërisë. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar” – tha studiuesi Selami Xhepa.

Ndërsa drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi thotë se vjet nuk pati rritje ekonomike, sa kohë që ajo u sigurua vetëm nga shirat dhe shitja e energjisë elektrike.

“Sipas të dhënave zyrtare, kemi një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Dua ta theksoj se nuk ka një përgjysmim të rritjes ekonomike, por rritja e vitit të kaluar ishte fiktive. Thjesht ra shumë shi dhe u shit shumë energji, por kjo nuk është rritje ekonomike reale” – tha zonja Liperi e Revistës Monitor.